Në Mitrovicë mbahet aktiviteti për fuqizimin ekonomik të grave dhe avancimin e barazisë gjinore

Synimi i këtij aktiviteti është të krijojë një shoqëri gjithëpërfshirëse dhe të drejtë, shkruan Telegrafi.

Lidhur me këtë aktivitet, Shpresa Gosalci nga Ecokoswomen (EKW), për Telegrafin ka thënë se përmes këtyre mesazheve dhe aktiviteteve që përçojnë në këtë fushatë, dëshirojnë të theksojnë rolin e pazëvendësueshëm që luajnë gratë në zhvillimin e shoqërisë sonë.

“Mesazhet që po shpalosim përmes siluetave tona sikur këto në Mitrovicë dhe në komuna të tjera të Kosovës janë një thirrje për veprim. Duke përkrahur fuqizimin ekonomik të grave dhe avancimin e barazisë gjinore, ne jo vetëm që po krijojmë mundësi për gratë të shprehin potencialin e tyre, por po ndërtojmë një të ardhme më të sigurt dhe më të drejtë për të gjithë”, ka thënë Gosalci.

Sipas saj, gratë meritojnë mundësi të barabarta dhe se mesazhet e përçuara përmes këtij aktiviteti janë “thirrje për veprim”.

“Gratë, kudo që janë, meritojnë mundësi të barabarta. Mesazhet që po shpalosim përmes siluetave tona në Prishtinë por dhe në komuna të tjera të Kosovës janë një thirrje për veprim”, ka thënë ajo.

Ndërsa, kryesuesja e Kuvendit të Komunës së Kosovës, Vesa Broja, për Telegrafin ka thënë se qeverisja komunale mbështetë çdo përpjekje në drejtim të fuqizimit ekonomik të grave, përfshirë sektorin e agrobiznesit.

“Ne në komunën e Mitrovicës vazhdimisht angazhohemi për të mbështetur dhe promovuar iniciativa që kanë të bëjnë me përmirësimin e rolit të grave në shoqëri dhe në ekonomi”, ka thënë Broja.

Broja është shprehur se projekti i fundit i zbatuar nga EKW në fushën e agrobiznesit është një “hap pozitiv dhe i mirëpritur për komunitetin tonë”, transmeton Telegrafi.

Kryesuesja e Kuvendit të Komunës së Mitrovicës ka thënë se vendosja e këtyre maketeve tregon vendosmërinë e komunës për të përkrahur zhvillimin dhe rritjen e rolit të grave në sektorin e agrobiznesit.

“Ne besojmë se ky bashkëpunim i ngushtë mes Komunës dhe iniciativave të tilla është thelbësor për avancimin e barazisë gjinore dhe për forcimin e ekonomisë lokale në Mitrovicë. Angazhimi ynë do të vazhdojë të jetë i pandërprerë në përkrahje të projekteve të tilla inovative dhe të rëndësishme për komunitetin”, ka shtuar Broja.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *